Friday, December 11, 2009

“Eldorado” e Pukës

(Me pukjanin Skënder Ali Guri)

- E vështirë të jetosh në Pukë në kohët e sotme... Pa bukë, dritë e rrugë si qëmoti shumë fshatra... Të hanë malet atyre anëve... Edhe më e vështirë të mbijetosh në atë zonë malore me idenë për ta shndërruar në një vend pjellor për bukën e njerëzve të saj, - më përsërit shpesh miku im Skënder Ali Guri, sa herë vjen në Tiranë. – Megjithatë a nuk të vjen keq ta braktisësh atë bukuri natyrore që na ka falur Zoti?... Eh, njerëzit po e braktisin nga halli... halli i bukës së fëmijëve... E vështirë të mbijetosh për vendlindjen, or mik, sakrificë e madhe!... Filozofi alkimistësh përpjekjet tona apo rendje e ethshme drejt Eldorados së pamundur, - shprehet nganjëherë i lodhur ai si alkimistët e dikurshëm që ëndërronin formulën magjike të shndërrimit të gurit në ar apo si shumë eksploratorë që kanë rendur në kërkim të Eldorados dhe janë përballur dikur dëshpërimthi me shpresat e tyre të humbura...

Po kush është Skënder Ali Guri?!... Ai u lind më 1 dhjetor 1959 në fshatin Kabash të Pukës në një familje atdhetare e arsimdashëse. Në vendlindje ai kaloi fëmininë, kreu edhe shkollën fillore dhe tetëvjeçare. Shkollën e mesme e përfundoi në qytetin e Pukës dhe më pas ndoqi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës, ku u diplomua për Histori-Gjeografi. Pas përfundimit të shkollës së lartë punoi si mësues në disa shkolla të rrethit e të qytetit të Pukës. Tani është drejtor i shkollës 9 – vjeçare të fshatit Rrape në Pukë.

Skënder Guri bashkë me një grup intelektualësh ka krijuar dhe drejton një shoqatë jetimësh, nëpërmjet së cilës harton projekte dhe mundohet të sigurojë fonde nga donatorë të vendit e të huaj që të ndihmojë fëmijët e mbetur jetimë dhe në nevojë për vet varfërinë e madhe që e karakterizon një pjesë të mirë të zonës malore të Pukës. Ai, si intelektual dhe si mësues historie, duke shfrytëzuar mirë njohjet e zonës, i ka kushtuar vëmendje edhe pasurive natyrore të zonës me dëshirën për të nxitur zhvillimin e turizmit malor. Dihet se Puka si vend malor ka shumë pyje, kullota e livadhe dhe burime ujore, të cilat mund të shfrytëzohen për kampe verore ose, disa prej tyre, sidomos livadhet në male për fusha skish në dimër kur gjithçka e zbardh dëbora. Me burimet ujore të Pukës mund të ndërtohet një rjet hidrocentralesh të vogla dhe të shfrytëzohen edhe si rezervate të troftës, peshk i cili parapëlqen ujërat e ftohta. Këto burime ujore mund të shftytëzohen edhe si rezerva për ndërtimin e fabrikave të vogla për ujëra minerale shumë të shëndetshme. Pra, rrethi malor i Pukës, megjithëse pak i zhvilluar, ka shumë mundësira për investime që të krijojë kapitale dhe të hapë vende pune për familjet e varfra pukjane.

Skënder Guri e sheh vendlindjen e tij edhe me syrin e arkeologut amator dhe mendon se vendbanimet e hershme mund të zgjojnë vëmendjen e arkeologëve profesionistë dhe do të ishin një mundësi më shumë edhe për zhvillimin e turizmit kulturor, prandaj ai nuk rresht së kërkuari fonde për gërmime arkeologjike, pavarësisht se shumica e ideve të tij bien në vesh të shurdhër.

- Kemi ende një shtet të dobët ekonomikisht, të cilin e keqpërdor politika shqiptare, - shprehet Skënderi me keqardhje. – Politikanët e të gjitha spektreve vijnë e na premtojnë çudira në prag zgjedhjesh dhe, pasi na marrin votat, na harrojnë. Kështu me radhë gjatë këtyre njëzet vjetëve demokraci, vetëm premtime e premtime dhe pastaj varfëri. Askush nuk kujtohet të investojë në Pukën malore, përveç ndonjë biznesmeni vendas që ka arritur të sigurojë ca kapitale të vogla në Tiranë apo nga emigracioni jashtë shtetit. Mirëpo kjo nuk mjafton. Në Pukë duhet të vijnë patjetër investitorët e huaj, prandaj ne, si intelektualë, bëjmë të pamundurën për të zgjuar interesin e tyre me lloj-lloj projektesh. Dhe megjithatë ende pak, shumë pak. Të vjen keq që nuk shfrytëzohen tërë ato pasuri natyrore që ka Puka. Sidoqoftë ne nuk do të reshtim së kërkuari mundësira për vendlindjen tonë.

Skënder Guri dhe kolegët i tij mësues nxisin dashurinë me të gjitha mënyrat te brezat e rinj nëpër shkolla, me qëllim që ata të mos e braktisin vendlindjen, por të shkollohen, të specializohen dhe të bëhen të zotë për ta nxjerrë Pukën nga prapambetja. Ëndrra e tij më e madhe është ta shohë dikur Pukën të zhvilluar si zonat malore të Austrisë apo të Zvicrës, të cilat janë shndërruar në kampe turistike që thithin vizitorë të shumtë dimër e verë. Pra, sigurojnë të ardhura të bollshme, krijojnë edhe kënaqësi për dashamirët e huaj. Po Puka dhe njerëzit e saj kur do t’i shpëtojnë asaj mbijetese lodhëse buzë greminave të varfërisë?... Skënderi dhe miqtë e tij besojnë se në parajsën natyrore të Pukës fshihet një “Eldorado”, prandaj nuk reshtin së kërkuari... Kërkojnë e dyshojnë... Dyshojnë e kërkojnë... gjer në stërmundim...

Ja, pra, kjo është mëdyshja më e madhe e intelektualit Skënder Ali Guri dhe e djemve të tjerë pukjanë që këmbëngulin natë e ditë në kërkim të asaj formulës magjike për ta vënë në shërbim të njerëzve atë parajsë natyrore që u ka dhuruar Zoti, Pukën ende të virgjër si dikur në fillimet e jetës mbi tokë...
Ndoshta Puka e ka një “Eldorado” dhe ata dikur do ta gjejnë...

Shefki Hysa

Pamje nga rrethi Pukë